Në kuadër të zhvillimit të panaireve vjetore të planifikuara për vitin 2010 Agjencia Kombëtare e Turizmit mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit BIT - Milano 2010, i cili u zhvillua në datat 18 - 21 Shkurt 2010.
Ky panair është eventi më i rëndësishëm në fushën e turizmit që zhvillohet në Itali. Pjesëmarrës në këtë event janë tour - operatorë, agjenci udhëtimi, kompani ajrore nga Italia dhe vende të ndryshme të Europës dhe si i tillë është një pikë e rëndësishme kontakti për bizneset tona, të cilat operojnë në industrinë e turizmit por dhe një shans shumë i mirë për promovimin e imazhit të Shqipërisë.
Panairi u zhvillua në qendrën bashkëkohore të "Fiera Milano", e cila ka 24 zona ekspozuese. Gjatë edicionit të këtij viti BIT-Milano mirëpriti mbi 154 mijë vizitorë, nga të cilët mbi 101 mijë ishin operatorë të sektorit turistik italianë e ndërkombëtarë.
Shqipëria në këtë panair u prezantua me një stendë prej 80 m2 në formë ishulli, e cila është ideuar me një imazh bashkëkohor.
Agjencia Kombëtare e Turizmit në panairin BIT - Milano u prezantua me subjekte që operojnë në fushën e turizmit ku përmendim: Agjencinë turistike "Europa Travel", "Albtours D", "Sheraton Tirana Hotel", Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Tiranë.
Në datat 18 - 19 Shkurt panairi ishte i vizitueshëm për tour - operatorë dhe datat 20 - 21 Shkurt ishte i hapur për publikun.
Gjatë ditëve të zhvillimit të panairit stenda e Shqipërisë pati fluks vizitorësh dhe media të rëndësishme. Pjesëmarrja e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Milano u pasqyrua dhe në mediat vendase ku përmendim gazetën "La Republica" dhe "La Stampa", ku Shqipëria cilësohet si "Destinacion i vitit 2010" dhe turizmi shqiptar po jeton një ngritje të vazhdueshme duke u përqendruar në ofrimin e produkteve të ndryshme turistike si turizmi i "diellit dhe detit", "turizmit kulturor".
Gjithashtu në këtë artikull citohet që turizmi po e ndihmon ekonominë shqiptare të galopojë, të ndërtojë infrastrukturën duke krijuar mijëra vende pune.
Në këtë aktivitet ndërkombëtar ishin të të pranishëm përfaqësues të Tv Klan, të cilët bënë të mundur realizimin dhe transmetimin në Tv Klan të reportazhit mbi zhvillimin dhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë aktivitet ndërkombëtar.