Në datë 11 nëntor u zhvillua Konferenca për Shtyp, në ambjentet e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit W. T. M, Room 5, Level 2.
Në Konferencë referuan Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Znj. Nada Kallçiu, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Britaninë e Madhe Z. Zef Mazi, Z. Zhulien Varfi Zv. Kryetar i Bashkis Durrës si dhe Z. Ylli Cerova, Drejtor i Parkut Arkeologjik të Butrinit.
Znj Nada Kallçiu paraqiti arritjet e turizmit shqiptar gjatë kësaj periudhe kohe, investimet e ndërmarra në fushën e turizmit dhe sidomos në infrastrukturën rrugore.

Aktivitete promocionale të turizmit shqiptar, si dhe mundësitë e shumta për realizimin e një biznesi të suksesshëm turistik me vendin tonë.
Gjithashtu, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në UK, Z. Zef Mazi vlerësoi arritjet e turizmit shqiptar gjatë viteve të fundit.
Zv. Kryetari i Bashkisë Durrës Z .Zhulien Varfi dhe Drejtori i Parkut Arkeologjik të Butrinit, Z. Ylli Cerova folën për aspektin turistik respektivisht në zonat perkatëse.
Konferenca u prit me interes nga ana e të ftuarve ku pati edhe një sërë pyetjesh të ndryshme.
FJALA E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM
TË AGJENCISË KOMBËTARE TË TURIZMIT
Znj. Nada Kallçiu
në
W.T.M Londër 11.11.2009
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,
Është kënaqësi dhe privilegj që ndodhem sot para jush për t'ju njohur me Shqipërinë dhe me mundësitë e panumërta për kryerien e nje biznesi te frytshem turistike si dhe me mundesite per investime që ajo ofron në fushën e turizmit.

Qeveria shqiptare në programin e saj për vitet 2009-2013 e konsideron zhvillimin e industrisë së turizmit si një nga prioritetet e saj duke e parë atë si një ndër tre fushat kryesore për zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshëm të vendit, duke synuar kthimin e vendit në një destinacion kryesor mesdhetar, pёr vetё larminё e madhe tё atraksioneve natyrore, kulturore, kulinare e mikёpritjen e vecantё.
Shqipëria është një vend mahnites. Ajo ka një gamë të gjerë atraksionesh historike, kulturore dhe natyrore që përbëjnë një interes të madh për turistët. Ajo që është më e rëndësishme, vendi është "autentik". Në këtë aspekt, Shqipëria është unike në llojin e saj dhe ofron një spektër shumë të gjerë mundësish investimi në fushën e turizmit. Përshkohet nga një vijë bregdetare me gjatësi 362 km, e cila laget nga dy dete ai Adriatik dhe Jon.
Shqipëria ka natyrë dhe klimë të favorshme, për zhvillimin e një turizmi të shumëllojshëm e gjate gjithe vitit. Në Shqipëri aktualisht ekzistojnë rreth 630 hotele me kapacitet 25 000 shtretër dhe nëse përfshijmë dhe turizmin familjar kapcitetet akomoduese shkojnë në 35 000 shtretër. Në përgjithësi standartet janë në nivel të klasifikimit me "tre yje", por ekzistojnë hotele të tilla si Sheraton dhe hotele te nivelit me "4 Yje". Ne kete kuptim Shqiperia ofron mundesi te shumta akomodimi , pothuajse per te gjitha kerkesat e vizitoreve , qe nga ata te llojit " budget traveler" deri tek ata te cilet kerkojne akomodim dhe sherbime te nje cilesie te larte. Në gjithë territorin e vendit ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 150 agjenci turistike udhëtimi.
Qeveria shqiptare, e konsideron zhvillimin e turizmit përparësi të padiskutueshme të sajën dhe për këtë arsye ajo ka ndërmarrë, në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë, masa për nxitjen dhe lehtësimin e investimeve të huaja në këtë fushë si nga ana ligjore ashtu dhe për infrastrukturën në përgjithësi.
Kuadri Ligjor

Dy vite më parë, parlamenti shqiptar miratoi ligjin për turizmin, i cili rregullon funksionimin e sektorit të turizmit në mënyrë cilësore dhe në përputhje të plotë me standartet ndërkombëtare në këtë fushë.
Ky kuadër ligjor rregullon marrëdhëniet ndërmjet institucioneve publike dhe subjekteve private, vendas apo të huaj, që ushtrojnë veprimtari turistike në territorin e Shqipërisë, përcakton të drejtat dhe detyrimet e subjekteve pjesëmarrëse në këto veprimtari. Është aprovuar gjithashtu ligji "Për portet detare".
Për të inkurajuar invenstimet edhe në fushën e turizmit, ligji për konçesionet mundëson përfitimin e një kontrate afatgjatë 35 vjeçare me të drejtë rinovimi kur biznesi rezulton i suksesshëm.
Janë miratuar studime rajonale zhvillimi afatgjatë, në zona të ndryshme të vendit, në përputhje të plotë me Strategjinë e Turizmit duke ruajtur diversitetin kulturor, natyror dhe historik të rajonit.
Konkretisht, mund të përmendim Studimin e Bankës Botërore në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe aktorët e interesit, për Hartimin e Planit të Integruar për Zhvillimin e Bregdetit të Jugut, e quajtur ndryshe riviera shqiptare.
Ky projekt, krahas planit të zhvillimit të zonës, përfshin edhe disa komponentë të tjerë shumë të rëndësishëm si investime në infrastrukturën rrugore, rrjetet e kanalizimeve, infrastrukturë portuale, sinjalistikë turistike dhe restaurime në monumentet e kulturës.
Mbёshtetur edhe nё kёtë model janё kryer studime afatgjatё zhvillimi pёr zona tё tjera si studimi për zonat bregdetare Orikum, Rradhimë-Orikum, Vlorё, Golem,Velipojё si edhe për rajonet Shkodёr, Voskopojё, Korçё, Vorë dhe shumë zona të tjera të brendëshme.
Shembull konkret të investimit në fushën e turizmit mund të përmendim projektin e kompanisë së huaj OMNIX ALBANIA SHPK, për zhvillime turistike në zonën bregdetare të Gjirit të Lalzit në një sipërfaqe 14.5 ha. Vlera e investimit parashikohet në rreth 2,3 miliard euro dhe do të hapen 20 mijë vende pune nga realizimi i këtij projekti. Ky projekt do t'i kalojë për shqyrtim dhe miratim KRRTRSH-së.
Tё nderuar të ftuar,
Shqipëria ka trashëguar mbi 2000 objekte të shpallura monumente kulture tre prej të cilave janë pasuri botërore e njerëzimit të mbrojtura nga UNESCO (Butrinti, Barat, Gjirokastër). Apollonia, Durrësi, Lezha, Shkodra e shumë qendra të tjera u japin mundësinë turistëve të njohin më mirë një vend të panjohur për ta. Me mbërritjen dhe shtimin e numrit të vizitorëve vijnë edhe mundësitë më të mëdha për ruajtjen e trashëgimisë (rasti i Butrintit ku arkeologjia ndërthuret natyrshëm me natyrën dhe Gjirokastrës, ku kalaja, qendra historike dhe shtëpitë karakteristike joshin përditë vizitorë nga e gjithë bota). Një sërë zonash zhvillojnë turizmin kulturor me një cilësi të lartë në Shqipëri. Pjesë e promovimit kulturor janë parqet e ndryshme arkeologjike si: Apollonia, Orikumi, Amantia, Antigonea, Adrianapoli, Bylis, etj. Objekte të tjera janë një kompleks kështjellash, ku vlen të përmendet Kalaja e Gjirokastrës
Siç e përmenda dhe më lart, zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm dhe harmonik vazhdon të jetë prioritet i programit të Qeverisë Shqiptare. Sektori i Turizmit ka rritur peshën e kontributit në ekonominë e vendit si në vlerë ashtu edhe në punësim.
Për rrjedhojë Shqipëria ka një ecuri me bilanc pozitiv në terma shifrash për vizitorët e huaj në vite.
Numri i përgjithshëm i vizitorëve në Shqipëri për periudhën Janar - Gusht 2009 është rreth 2.1 milion vizitorë ndërkohë që për vitin 2008 numri total i vizitorëve ishte 2.6 milion.
Shqipëria është një vend i sigurt për investime në turizëm.
Të nderuar pjesëmarrës,
Do të bëj një prezantim të shkurtër të mënyrave të promovimit të Shqipërisë turistike të ndërrmara këtë vit nga Agjencia Kombëtare e Turizmit.
- Prezantimi nëpër panairet e ndryshme ndërkombëtare dhe kombëtare të turizmit. Ne jemi ne menyre te rregullt pesemarres ne W.T.M Londer, ITB Berlin, Coach Tourism Koln, Prishtine etj. Pjesemarrjet dhe prezantimet e Shqiperise do vijne duke u rritur edhe ne panaire te tjera si BIT Milano ,MATKA Helsink, Moske etj.
- Ideimi, përgatitja dhe transmetimi i spoteve televizive promocionale në Rajon. Në prag të hapjes së Sezonit Turistik u transmetua spoti rajonal i turizmit shqiptar "Shqipëria, Pasioni i ri Mesdhetar", në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, si dhe spoti promocional e dokumentari në shqip dhe anglisht "40 Hanet e Shqipërisë".
- Gjithashtu mund të përmendim edhe transmetimet në televizionet prestigjoze CNN dhe Euronews.
- Përgatitja dhe botimi i seteve promocionale që pasyqyrojnë potencialet, lehtësirat dhe shërbimet tustike në vend.
- Promovimi on -line nëpërmjet faqeve zyrtare të turizmit si www.akt.gov.al, www.albaniatourism.com, rrjeteve sociale www.facebook.com dhe www.yuotube.com
- Krijimi i Këndeve Promocionale pranë Përfaqësive Diplomatike Shqiptare.
Të nderuar të ftuar!
Shqipëria është një vend me potencial mahnitës turistik,
Një vend plot diell dhe energji
Një vend ku gjithkush gjen atë që kërkon
Ju faleminderit!