Gjatë dy ditëve, nga data 14 deri më datën 15 Shkurt 2012, vendi ynë - Shqipëria mori pjesë për herë të parë në panairin e I.M.T.M (International Mediterranean Travel Market), që u organizua në Qendrën e Panaireve të Tel - Avivit, ku u përfaqësua me një stendë prej 42,5 metrash katrore.
Sipas statistikave, llogaritet që këtë panair e kanë frekuentuar rreth 14 mijë vizitorë, midis të cilëve edhe përfaqësues të agjensive turistike, gazetarë, si dhe përfaqësues të mediave të vendeve pjesëmarrëse.
Stenda shqiptare u vlerësua nga masa e vizitorëve për nivelin e saj përfaqësues e konkurues në këtë treg turistik, ku morën pjesë 29 vende të Botës, si: Greqia, Italia, Gjeorgjia, Serbia, Rumania, etj. Në këtë panair morën pjesë edhe përfaqësues nga gjashtë subjekte private të shoqatave turistike të Shqipërisë, si:
1 - Europa Travel & Tours
2 - Albtours D
3 - Albania Private Tours
4 - Elite Travel
5 - Outdoor Albania
6 - A.T.H.S

Nisur dhe nga emri i mirë, që ka krijuar vitet e fundit Shqipëria Turistike në mbarë opinionin ndërkombëtar, nëpërmjet promocioneve të mediave më prestigjioze të Globit, gjatë ditëve të këtij panairi, në deskun e AKT-së, u vu re një interesim i veçantë për vendin tonë, ku vizitorët vlerësuan jo vetëm stendën, por dhe pjesëmarrjen për herë të parë të Shqipërisë në këtë panair. Veçanërisht me interes kanë qënë vlerësimet nga përfaqësuesit e mediave, që ndoqën veprimtaritë e këtij aktiviteti të rëndësishëm turistik, të cilët shprehën gatishmërinë e tyre për të ofruar shërbimet e nevojshme në promovimin e Shqipërisë, si një destinacion i favorshëm për tregun turistik izraelit.
Ndër takimet më interesante të realizuara me përfaqësues të shtypit e të medias në këtë panair, kanë qënë ato me znj Daphne Raz Editor i seksionit të Revistës National Geographic për Izraelin, z. Uriel Yashiv - menaxher i publikimeve Utar Destinations, i cili përfshinte artikuj dhe botime për destinacionet e ndryshme, kompaninë PR Yosiffon me përfaqëues z. Golan Yossifon, gazetarin Ran Levy - Yamamori dhe fotoreporterin Tedy Alon, i cili shprehu interesimin e tij për të sponsorizuar udhëtim në Shqipëri.
Gjithashtu me interes kanë qënë gjatë këtij panairi edhe takimet e realizuara me z. Nil Sharon - përgjegjës ekzekutiv i kompanisë Prestiga e specializuar për promovimet turistike, z. Romen Chason - drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Turistike Pangea Tours, i cili në turet e tij përfshinte si destinacion turistik edhe vendin tonë, etj. Gjatë ditëve të zhvillimit të panairit të I.M.T.M., vizitorët e stendës tonë, shprehën një interesim të veçantë edhe për mundësinë e fillimit të fluturimeve direkte nga Tirana për në Tel - Aviv, pasi kjo konsiderohej prej tyre si një nga masat e rëndësishme, që lehtëson shkëmbimet turistike, si dhe tërheqjen më të madhe të turistëve izraelitë drejt vendit tonë.