
Teatri
Ndërtimet e teatrove antikë monumentalë arkitektonikë, në qendrat ilire si Apolloni, Butrint, Bylis (Hekal), Nikoia (Klos), Orik Foinika (Finiq), Sofratikë (pranë Gjirokastrës), Dyrahu (Durësi), flasin për praninë e aktiviteteve teatrale gjatë antikitetit.
Gjatë periudhës së mesjetës, kemi përsëri aktivitete shoqërore me natyrë teatrore të karakterit folklorik.
Drama dhe lëvizja teatrore rinisi në kuadrin e lëvizjes së Rilindjes Kombëtare.
Më 1874, u organizua shfaqja e parë teatrale "Dasma e Lunxhërisë".
Në vitet e para të shekullit XX, krijohen shoqëri apo klube, që zhvillonin aktivitete teatrore, si Klubi "Labëria" më 1902, Klubi "Bashkimi" në Delvinë më 1909, Shoqëria e grave "Ylli i Mëngjesit". Do të vijnë më vonë autore si; Foqion Postoli me "Lulja e Kujtimit"; Kristo Floqi me "Karl Topia" etj.
Duhet nënvizuar aktiviteti i gjeniut të skenave evropiane Aleksandër Moisiu (1879 -1935).
Gjatë viteve 1941-1945, në Shqipëri u dallua më tepër teatri partizan. Ky lloj teatri në fillimet e veta, pati një natyrë improvizimi, pa një tekst me bazë dramaturgjike. Pikërisht në këtë periudhë janë spikatur aktorët e rinj si; Naim Frashëri, Sandër Prosi dhe Besim Levonja.
Pas 1944 teatri partizan mori formën e një organizimi më të plotë.
U hodhën bazat e teatrit Popullor (sot, Teatri Kombëtar) .
Pas viteve 60, mbërrijnë nga jashtë kuadrot e parë profesionistë, regjisorë dhe aktorësi: Piro Mani, Andrea Malo, Esat Oktrova, Kujtim Spahivogli, Mihal Luarasi, Zina Andri, Drita Agolli, Pandi Stillu, Andon Pano, Misto Zito dhe aktorët: Kadri Roshi, Lazër Filipi.
Gjatë kësaj periudhe, lindën dramaturgët e parë profesionistë si: Spiro Çomora, Kol Jakova, Besim Lëvonja, Sulejman Pitarka, Dionis Bubani, Fadil Paçrami, Loni Papa, Teodor Laço, Fadil Kraja, Ruzhdi Pulaha, Dritëro Agolli.
Një epokë të re në interpretimin teatror shënoi hapja e shkollës së parë për përgatitjen e aktorëve,
që në fillim u quajt "Shkolla e Lartë për Aktorë Aleksandër Moisiu" dhe më vonë, "Fakulteti Skenik pranë Akademisë së Arteve".
Gjatë këtyre viteve mund të përmenden vepra si: "Toka Jonë", "Prefekti", "Familja e Peshkatarit", "Cuca e Maleve", "Shi në Plazh", "Karnavalet e Korçës, "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur", "Fijet e Natës", "Këneta", "Shtëpia në Bulevard", "Mbi Gërmadha", "Fisheku në Pajë", "Njollat e Murrme", "Zonja nga Qyteti" " Fytyra e Dytë" etj.
Gjithashtu u vunë në skenë edhe kryevepra të letërsisë botërore si: "Hamleti", "Otello", "Intrigë e Dashuri", "Shumë Zhurmë për Asgjë", "Arturo Ui", "Nata e 12", "Zbutja e Kryeneçes" "Revizori ", "Martesa" etj.
Kinematografia
Filmi hyri në Shqipëri në vitet 1911-1912.
Shfaqjet e para publike u dhanë në qytetet Shkodër dhe Korçë. Sallat e para të kinemave, u ngritën në qytetet Vlorë, Korçë, Tiranë, Shkodër dhe Berat.
Menjëherë pas Luftës II Botërore u krijua nga shteti Agjencia Shqiptare e Filmave (1945), e cila më pas u shndërrua në Ndërmarrje Shtetërore Kinematografike Shqiptare (1947).
Një etapë të re shënoi ngritja e parë e studios shqiptare të filmave, Kinostudio "Shqipëria e Re" (1952).
Përvoja e parë në fushën e filmit artistik qe bashkëprodhimi shqiptaro - sovjetik.
Luftëtari i madh i Shqipërisë - Skënderbeu (1954, regjisor S. Jutkeviç, fitues çmimi në Festivalin Ndërkombëtar të Kanës).
Filmat e parë artistikë të kineastëve shqiptarë janë "Fëmijët e saj" film i shkurtër, punë diplome (1957, regj. H. Hakani), dhe "Tana" (1958, regj. K. Dhamo).
Vitet 60 shënojnë prodhimin sistematik të filmit artistik, kryesisht me subjekt nga lufta kundër pushtuesve fashistë. Filmat e tyre të parë janë realizuar nga regjisorët Dh. Anagnosti, V. Gjika, G. Erebara, P. Milkani.
Në vitet `70, u shënua një rritje e ndjeshme e prodhimit të filmit, nga 5 - 6 filma artistikë në vit, për të arritur në 14 në vitet `80.
U zgjerua gama e zhanreve, u bënë filmat e parë për fëmijë, ku u shqua regj. Xh. Keko, (ndër filmat e saj përmendim Beni ecën vetë, 1975).
Kinokomedia e parë Kapedani (1972, regj. F. Hoshafi e M. Fejzo).
Krijimtaria kinematografike, e përqëndruar në një kinostudio dhe në TV Shqiptar, qe fryt i bashkëpunimit të organizuar nga shteti mes kineastëve, regjisorëve të të gjitha brezave, shkrimtarëve, piktorëve, kompozitorëve, aktorëve, dhe industrisë kinematografike.
Deri më 1990, nga rreth 200 filma artistikë 80 janë ekranizime nga letërsia shqiptare.
Në fund të viteve 80 në Shqipëri kishte 450 salla kinemaje e kinema lëvizëse.
Mund te thuhet se kinemaja shqiptare sot ndodhet midis nostalgjisë së një kinemaje kombëtare, të lindur e të zhvilluar në kushte të caktuara dhe së ardhmes në ndërtim e sipër. Vitet e fundit është shtuar shumë prodhimi kinematografik në bashkëpunim me regjizorë dhe producentë të huaj. Disa prej këtyre filmave kanë patur sukses dhe në festivale ndërkombëtare të filmit.