
Shqipëria ka një sipërfaqe prej 28.748 km2. Ajo është e pozicionuar në pjesën jug perëndimore të gadishullit Ballkanit dhe kufizohet në veri me Malin e Zi, në veri- lindje me Kosovën, në lindje me Maqedoninë dhe në jug e jug-lindje me Greqinë. Në perëndim vendi laget nga ujërat e deteteve Adriatik dhe Jon. Shqipëria ndahet në katër zona fiziko - gjeografike (Alpet e Shqipërisë, Krahina Malore Qëndrore, Krahina Malore Jugore dhe Ultësira Perëndimore). Shqipëria është në përgjithësi vend malor. Malet dhe kodrat zenë 2/3 e sipërfaqes. Maja më e lartë e vendit është Korabi 2.763 m, në rrethin e Dibrës në veri - lindje të vendit. Ultësirat të cilat zënë 1/3 e sipërfaqes shtrihen përgjatë bregdetit Adriatik si dhe në zonën e Korçës në jug-lindje të vendit. Klima e Shqipërisë është tipike mesdhetare, me verë të nxehtë e të thatë dhe dimër relativisht të butë dhe të lagët. Në pjesët malore, në brendësi të vendit veçanërisht në veri, dimri është i ashpër dhe me borë, ndërsa vera është e freksët me temperaturë të këndshme. Lumenjtë kryesorë janë: Drini, Vjosa, Shkumbini, Semani, Mati, Buna. Prej tyre vetëm Buna, në rrjedhën e poshtme është i lundrueshëm. Më shumë se një e treta e Shqipërisë është e mbuluar nga pyje. Një e treta është kullotë dhe vetëm rreth një e pesta është e kultivuar. Shqipëria ka një pozicion mjaft të përshtatshëm gjeografik për zhvillimin e industrisë turistike me një akses mjaft të volitshëm ndaj tregjeve kryesore europiane, me një potencial klimaterik shumë të favorshëm, me një shtrirje të gjatë plazhesh ende të pastra, dhe me male të lartë dhe liqene të shumtë të mëdhenj apo të vegjël.
Popullsia: 2,821,977
Kryeqyteti: Tirana (nga viti 1920). Ajo ka përafërsisht 700,000 banorë. Tirana është qendra e jetës ekonomike dhe kulturore të vendit.
Monedha: Lekë
Minoritetet: Grekë, Maqedonas, si dhe pakica Serbo-Malazezësh, Vllehësh dhe Romësh.
Përbërja Fetare: Myslimanë, Ortodoks, Katolik, Bektashij.
Gjuha zyrtare: Gjuha shqipe është një gjuhë indoevropiane dhe përfaqëson një degë të veçantë në familjen e gjuhëve indoevropiane.
Gjeografi grek, Ptholemeous, ka dëshmuar ekzistencën e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe që në shekullin e dytë te erës sonë. Emri "Shqipëri" zëvendësoi emrin e "vjetër "Arbëri" (ose Arbani) në fund të shekullit XVII, për shkak të kushteve të reja historike të krijuara në këtë periudhë. Ky emër kishte për qëllim ti jepte rëndësi lidhjes ndërmjet emrit të vendit dhe gjuhës, e cila në atë kohë quhej "Shqip". Dokumenti i parë i shkruar i gjuhës shqipe eshte "Formula e Pagezimit" i përket vitit 1462. Vepra e parë letrare "Meshari" (Gjon Buzuku) u botua më 1555, dhe që nga ajo kohë gjuha shqipe është zhvilluar në dy dialekte kryesore, veçanërisht gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare : "Gegërisht", gjuha e folur në Veri të Shqipërisë, dhe "Toskërisht", gjuha e folur në Jug të Shqipërisë. Alfabeti i gjuhës letrare shqipe ka 36 shkronja dhe përdoret alfabeti latin, i aprovuar nga Kongresi Kombëtar i Manastirit më 1908. Gjuha shqipe (e folur dhe e shkruar) përdoret gjithashtu në Kosovë, në popullsinë shqiptare në Maqedoni, Malin e Zi, në luginën e Preshevës në Serbinë jugore, në Epirin e Jugut nga Arvanitasit në Greqi, si dhe nga arbëreshët e Italisë në krahinat e Kalabrisë, Siçilisë dhe Molisës.
Sistemi Politik: Shqipëria është Republikë Parlamentare me 140 deputetë, të cilët zgjidhen me votë të lirë, një herë në katër vjet me zgjedhje të përgjithshme. Pushtetet kryesore janë legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.
Kryetare e Kuvendit: Znj. Jozefina Topalli, e zgjedhur nga Kuvendi, është gruaja e parë kryeparlamentare në gjithë historinë parlamentare në vend dhe e gjashta Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë në historinë parlamentare pluraliste, që nga viti 1991. Ajo e mori detyrën në muajin shtator 2005 dhe ngarkohet sërisht në detyrën e Kryetares së Kuvendit në shtator të 2009-ës.
Presidenti i Republikës: Z. Bujar Nishani, i zgjedhur nga Kuvendi më 24 korrik 2012 për një periudhë pesë-vjeçare.
Kryetari i Këshillit të Ministrave: Z. Sali Berisha (Partia Demokratike)
Qeveria: Përbëhet nga koalicioni ndërmjet PD, PR, LSI, PDR, PDI dhe PA.
Kushtetuta: Kushtetuta e re e Republikës së Shqiperisë është aprovuar me Referendum Popullor më 28 nëntor 1998.
Flamuri: Flamuri kombëtar i Republikës së Shqipërisë paraqitet me një shqiponjë të zezë me dy kokë dhe me krahë të hapura, të vendosur në qendër të një sfondi të kuq.
Ekonomia: Ekonomia shqiptare bazohet në sektorët e ndërtimit, shërbimeve, bujqësisë dhe transportit. Zhvillimi i turizmit në vitet e fundit po luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e Shqipërisë. Shqipëria është duke u përpjekur me këmbëngulje të tërheqë investimet e huaja dhe të promovojë investimin vendas. Bashkëpunimi i ngushtë me organizmat ndërkombëtare si p.sh: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian, BERZH, etj, janë garancitë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Bujqësia
Bujqësia më parë ishte në formë kolektive dhe ferma bujqësore, por nga viti 1992 pjesa më e madhe e tokës bujqësore u privatizua. Tregu bujqësor, që përbën më shumë se gjysmën e të ardhurave kombëtare të përgjithshme (GDP), po rritet edhe më shumë si rezultat i diversitetit të prodhimeve bujqësore.
Burimet natyrore
Shqipëria, për sipërfaqen e saj të vogël, ka pasuri minerare të dukshme, ku mund të përmendet kromi (për rezervat e të cilit ajo rradhitet në vendin e tretë në botë ), bakri hekuri, nikeli, qymyrguri, naftë gazi natyror, minerale jo metalore, etj.
Turizmi shqiptar: Shqipëria për shkak të pozitës së saj gjeografike, klimës, bukurive natyrore dhe trashëgimisë së pasur historike e kulturore ofron një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e industrisë së turizmit. Klima e butë dhe e favorshme bën që vendi të jetë destinacion turistik gjatë 12 muajve të vitit. Gjatë viteve të fundit turizmi shqiptar po jeton një ngritje të vazhdueshme duke u përqendruar në ofrimin e produkteve të ndryshme turistike si turizmi i " diellit dhe detit", " turizmi kulturor" dhe "turizmi malor". Turizmi bregdetar është kryesisht i zhvilluar në qytetet e Durrësit, Vlorës, Sarandës, Himarës, Shëngjinit etj si edhe rrethet Shkodër, Kavajë dhe Lushnjë. Gjatë stinës së verës më shumë se 200.000 turistë frekuentojnë ujërat e detit Adriatik të Durrësit dhe Vlorës, të cilat ofrojnë edhe shërbime hotelerie dhe qendra argëtimi të ndryshme. Durrësi është një destinacion interesant edhe për turizmin historik. Qyteti bukur i Sarandës është një qendër e rëndësishme turistike jo vetëm për plazhet por edhe për pasuritë e mëdha kulturore e historike. Saranda vizitohet nga shumë turistë ndërkombëtarë, një pjesë e mirë e të cilëve hyjnë nga ishulli grek i Korfuzit. Turizmi malor është i përqendruar kryesisht në pjesën Jug- Lindore dhe Veriore të Shqipërisë. Fshati i Voskopojës ndodhet 21 km larg qytetit të Korçës, me ajër të pastër dhe ujë kurativ. Pika të tjera janë Alpet e Shqipërisë në veri të vendit (Thethi, Vermoshi, Valbona etj).