AKT dhe Tour operatorët gjermanë udhëtim në disa destinacione turistike të Shqipërisë

Agjencia Kombëtare e Turizmit organizoi një vizitë disa ditore me përfaqësuesit më të lartë të Shoqatës së Tour – Operatorëve gjermanë (DRV), kryesuar nga Presidenti i Shoqatës, Z. Norbert Fiebig dhe drejtues të Agjencive Turistike, të cilët erdhën në Shqipëri të nxitur nga interesi i lartë i turistëve gjermanë për të parë nga afër potencialin e madh turistik që ofron vendi ynë.

Të shoqëruar nga Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Z. Zana Çela, Tour – Operatorët gjermanë vizituan mjediset e Shkollës së Mesme Profesionale “Salih Ceka” në qytetin e Elbasanit ku u pritën nga Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Z. Gledian Llatja. Ai e vlerësoi këtë investim të rëndësishëm të qeverisë shqiptare në bashkëpunim edhe me donacione të qeverisë zvicerane dhe gjermane, ku studiojnë 600 nxënës, ndër ta, 200 në degën Hoteleri – Turizëm si dhe në kabinetet e rrobaqepësisë, vendosjes së paneleve diellore, atyre foto voltaike, termo-hidraulikës.

Mes rivierës së bukur shqiptare dhe trashëgimisë kulturore, përmes sugjerimeve të destinacioneve kryesore të Agjencisë Kombëtare të Turizmit udhëtimi vijoi në Gjirokastrën e UNESCO-s me një shëtitje në Qafën e Pazarit, në sokaket e bukura me kalldrëm, ndalesat në Muzeun Etnografik, shtëpinë e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, ku miqtë nga Gjermania u pritën nga Kryetari i Bashkisë Z. Flamur Golemi. Në kalanë e Argjirosë, Tour – Operatorët gjermanë shijuan ritmet dhe tingujt e Festivalit Folklorik Kombëtar.

Më pas vizita në Butrint, pasuri e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s la përshtypje mahnitëse tek Tour – Operatorët gjermanë, të cilët e konsideruan këtë sit arkeologjik të Shqipërisë si një ofertë elitare për turistët gjermanë.

Në përfundim të vizitës në Shqipëri, Shoqata e Tour – Operatorëve gjermanë zhvilloi edhe një takim me disa prej drejtuesve të Shoqatave të Tour – Operatorëve dhe hotelierë shqiptarë, të cilët prezantuan shërbimet në disa prej hoteleve në bregdetin e Golemit në Durrës dhe shprehën interesin e tyre për të bashkëpunuar me Shoqatën e Tour – Operatorëve gjermanë në promovimin e Shqipërisë turistike dhe mikpritjen e turistëve gjermanë në Shqipëri.

Drejtoresha e AKT-së, Zana Çela shpalosi si një vlerë të shtuar për turizmin shqiptar, Kalendarin Kombëtar të Eventeve të Turizmit Kulturor dhe Traditës dhe Aplikacionin TEA (Tourism Events of Albania), i cili u jep mundësi turistëve të eksplorojnë nga telefoni celular e bëhen pjesë e aktiviteteve kulturore, të trashëgimisë, sportive e artistike duke i përzgjedhur sipas preferencës, grupmoshës, datës apo destinacionit. Aplikacioni TEA tashmë përmes bashkëpunimit me Shoqatën e Tour – Operatorëve gjermanë do të jetë pjesë e ofertave turistike të Agjencive gjermane të turizmit.

 

Shpërndaje në: